Kryesore » 2011 » Maj » 14 » Sërish rriqrat
12:08 PM
Sërish rriqrat
Për dallim nga sezoni i kaluar këtë vit rriqrat nuk kanë qenë shumë aktive nëpër vatrat endemike të Kosovës, që çdo pranverë atakohen nga rriqrat.Infektologu dr. Salih Ahmeti nga Klinika Infektive në Prishtinë, ka thënë se duke pasur parasysh periudhën në të cilën ndodhemi, këtë vit është një fazë më e vonshme e aktivitetit të rriqrave. Ai ka sqaruar se deri tani në klinikë ndihmë mjekësore kanë kërkuar 32 persona, ndërsa për trajtim spitalor janë ndalur vetëm 5 prej tyre.

Përgjithësisht të atakuarit nga rriqrat, Ahmeti ka thënë se kanë pasur tablo klinike më të lehtë. Për 5 pacientët e shtrirë në klinikë janë kërkuar analizat përkatëse laboratorike sa i përket mundësisë së infektimit nga ethet hemorragjike. Por, tek 4 prej tyre rezultatet kanë qenë negative, ndërsa për njërin që është shtrirë në spital në fillim të kësaj jave dhe vjen nga rrethi i Malishevës janë duke u pritur ende rezultatet e analizave.

Për faktin se periudhat me shi konsiderohen si kohë e përshtatshme për shumimin e rriqrave, Ahmeti rikujton se me përmirësimin e kushteve klimatike dhe ngritjen e temperaturave rritet incidenca e pickimit të rriqrave.

Vitin e kaluar në një periudhë të njëjtë kohore si pasojë e pickimit të rriqrave ndihmën mjekësore në Klinikën Infektive e kishin kërkuar mbi 100 persona, ndërsa një fëmijë kishte vdekur si pasojë e etheve hemorragjike, që shkaktohen te disa raste të pickuara nga rriqrat.

Sado që këtë vit numri i të sulmuarve nga rriqrat është shumë më i vogël, kjo nuk ka lënë shumë hapësirë për komoditet tek autoritetet vendore, të cilat kanë nisur të ndërmarrin masat adekuate për mbrojtjen e qytetarëve nga rriqrat.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP) ka thënë se para një jave në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Malishevës kanë nisur të bëjnë spërkatjen e vatrave endemike. Sipas tij, ky është projekt i KK të Malishevës, në të cilën do të jetë i përfshirë territori i gjithë komunës, ndërsa IKSHP-ja është duke i ndihmuar me ekspertë.

Zgjerimi i këtij projekti edhe në komunat tjera, që janë të rrezikuara nga rriqrat, Ramadani ka sqaruar se varet nga mbështetja që do të ofrojë Ministria e Shëndetësisë dhe komunat.

Nga ana tjetër, Salih Ahmeti ka thënë se Klinika Infektive edhe këtë vit është e përgatitur mirë me barna dhe material shpenzues për t’u përballur me rriqrat.

Sezoni i pranverës dhe verës çdo vit në Kosovë karakterizohet përveç me numër të lartë të personave të pickuar nga rriqrat edhe me viktima në njerëz.

Numri më i madh i viktimave është shënuar vitin 2001 dhe vitin e kaluar, kur si pasojë e pickimit të rriqrave, përkatësisht etheve hemorragjike kanë humbur jetën nga 7 persona.

Simptomat e para tek pacientët e pickuar nga rriqrat janë temperatura e lartë, gjakderdhja nga hunda, nëpër lëkurë, lodhje, molisje dhe simptoma të tjera, pas shfaqjes së të cilave është i domosdoshëm konsultimi me mjekun.

Ndërkaq, zonat më të rrezikuara nga rriqrat janë Malisheva, Suhareka, Klina, Rahoveci, Skenderaj, Drenasi etj. (zëri)
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus