Kryesore » 2012 » Maj » 20 » Rrezet Ultraviolet armiku i fshehtë i syve
4:51 PM
Rrezet Ultraviolet armiku i fshehtë i syve
Sytë, kujdes nga dielli.Dielli është i nevojshëm për jetën tonë, por drita e tij nuk përmban vetëm rreze të dobishshme. Flitet shpesh për rreziqet e tij në lëkurë, por flitet dhe dihet pak për problemet që jep në sy. Dozat e rrezeve të dëmshme në rritje, dëmtimi i shtresës së ozonit, zgjatja e jetëgjatësisë rrezikon jo vetëm lëkurën, por edhe sytë tanë si asnjëherë me parë. Për më tepër efektet e dëmtimeve diellore janë akumulative dhe nisin që në fëmijëri. Prandaj është e nevojshme që të njohim më mirë rrezikun dhe të dimë si të mbrohemi prej tij.
Rrezet ultraviolet, një armik i padukshëm.
Rrezet e diellit para se të mbërrijnë në tokë duhet të kalojnë atmosferën tokësore. Në shtresën e ozonit një pjesë e tyre kthehen mbrapsht ose përthithen. Një pjesë arrijnë të depërtojnë për në sipërfaqen e tokës. Midis këtyre rrezeve, njerëzit arrijnë të perceptojnë vetëm rrezet e dritës. Rrezet e dëmshme, ultraviolet apo infra të kuqe, janë plotësisht të padukshme. Në doza të vogla, rrezet infra të kuqe nuk janë të dëmshme. Rrezet ultraviolet, në të kundërt, kanë efekte shkatërruese. Në varësi të gjatësisë së valës dallohen 3 lloj valësh ultraviolet (UV): UVA, UVB, UVC. Rrezet UVA përbejnë shqetësimin kryesor për sytë. Tek i rrituri, ato prekin kornenë, kristalinin ndërsa tek fëmija mund të prekin edhe retinën.

Mbrojtja natyrale, e pamjaftueshme
Për tu mbrojtur nga rrezet e forta, ka disa mekanizma mbrojtjeje natyrale në organizmin tonë si për shembull ngushtimi i pupilës dhe mbyllja e qepallave. Në rastin e rrezeve ultraviolet këto mekanizma nuk aktivizohen, sepse ato janë të padukshme.

Rreziku, jo vetëm nga qielli
Qielli nuk është i vetmi burim nga mund të vijnë rrezet ultraviolet. Burim i tyre mund të jenë edhe rrezet diellore të pasqyruara nga sipërfaqe të ndryshme si: sipërfaqet me dëborë, deti, liqeni, rëra e plazhit, xhamat e ndërtesave, fasadat e bardha, xhamat e makinës etj.

Mbroni fëmijët. Janë më të rrezikuarit!
Rreziku i rrezeve UV është më i madh për fëmijët e vegjël. Sytë e fëmijëve janë më të përshkrueshëm nga drita sesa tek të rriturit. Tek bebet, kristalini është i ndjeshëm dhe ende i papjekur, prandaj transmetimi i rrezeve UVA dhe UVB drejt retinës është i plotë. Rreth moshës 10-12 vjeç, kristalini akoma nuk luan rolin e filtrit natyror dhe rreth 70% e rrezeve UV arrijnë në retinë. Në moshën 25 vjeç, kur kristalini funksionon më mirë , vetëm 10% e rrezeve UV arrijnë retinën. Fëmijët duhet të këshillohen vazhdimisht që të mos shohin direkt nga dielli, madje as në momentet e eklipsit diellor. Një gjë e tillë i drejton rrezet UV drejt e në fund të syrit, duke rrezikuar djegien e retinës dhe verbimin. Veç fëmijëve, të ndjeshëm ndaj rrezatimit UV janë edhe personat me lëkurë të bardhë (biondë), ata me sy të qartë ose përdoruesit e disa medikamenteve si: tetraciklina, baktrima, diuretikët, qetësuesit, pilulat kontraceptive.

Cilët janë dëmtimet e diellit
Ekspozimi afatshkurtër ndaj dritës së diellit mund të shkaktojë dëmtime kalimtare si irritim dhe keratit.Nevojiten vetëm 2 orë ekspozim ndaj diellit të fortë për të shkaktuar këto probleme. Irritimi shfaqet me ënjtje e kapsitje të syve dhe ndjeshmëri nga drita kurse keratiti, i ngjashëm me verbimin nga dëbora, shfaqet me skuqje, lotim e dhimbje të forta e deri në verbim kalimtar. Ekspozimi afatgjatë jep dëmtime më të rënda e të parikthyeshme. Ai rrit në mënyre të ndjeshme shpeshtësinë e disa prej sëmundjeve të syve si: katarakti i parakohshëm (perdja e syrit), tumore të syrit, degjenerimi makular i lidhur me moshën (sëmundje e retinës) pterigiumi.

SI TE ZGJESHIM SYZET E DUHURA
Shumë individë mbajnë syze dielli për t’u dukur më mirë apo për t’u ndjerë më rehat. Nëse janë të duhurat, ka një arsye të fortë për t’i mbajtur- mbrojtja e shikimit.

Për të zgjedhur syzet e duhura duhet të kemi parasysh 3 gjëra:

1-Filtri. Syzet e diellit duhet të bllokojnë 97-100% të rrezeve UV. Kujdes: Syzat e zakonshme nuk kanë filtër. Ato pakësojne dritën e dukshme që arrin në sy, por jo rrezet UV. Në këtë mënyrë pupila zgjerohet pa filtruar rrezet UV të cilat hyjnë në doza më të mëdha në retinë dhe e djegin më lehtë atë. Syri me syzet pa filtër është më i rrezikuar sesa pa syze. Problemi mbetet i madh sepse ato përdoren gjerësisht nga fëmijët, të cilët janë më të ndjeshëm. Para se t’i blini sigurohuni që ato të kenë kategorine e mbrojtjes CE nga 0 ne 4. Xhamat me kategorin CE 2 dhe 3 mbrojnë nga një ndriçim diellor i mesëm ose i fortë, kurse xhamat me treguesin CE 4 nuk lejohen gjatë drejtimit të automjetit.

2-Intensiteti i ngjyrimit. Syzat duhet të ndalojnë 75-90% të dritës së dukshme. Sa më të errët të jenë xhamat, aq më pak dritë e dukshme do të hyje në sy.

3-Ngjyra e xhamave. Përsa i përket ngjyrës, xhamat gri janë më natyrale. Shmangni xhamat rozë ose blu. Ato modifikojnë perceptimin e së kuqes apo blusë prandaj mund t’ju hapin probleme me drejtimin e makinës. Zgjidhni syze që të mbulojnë vetullat dhe të puthiten mirë me fytyrën. Në këtë mënyrë do të bllokojnë të gjitha rrezet që vijnë nga anët e skeletit.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus