Kryesore » 2011 » Maj » 16 » Tumori u qëndron larg vegjetarianëve
2:50 PM
Tumori u qëndron larg vegjetarianëve
Të gjithë kemi dëgjuar dhe kemi lexuar shpesh se të hash shumë fruta dhe perime i bën mirë shëndetit. Tani, një studim madhështor tregon që kjo jo vetëm është e vërtetë, por siguron se të gjithë ata që bëjnë një dietë vegjetariane kanë më pak probabilitet për t’u sëmurur nga kanceri, në krahasim me ata që kryejnë një dietë me bazë mishi. Nuk është hera e parë që një konfirmim i këtij lloji vjen nga komuniteti shkencor ndërkombëtar, por risia qëndron pikërisht në faktin se ky është një studim kaq i gjerë dhe i tejzgjatur në kohë mbi këtë çështje. Rezultatet janë gjithmonë befasuese: vegjetarianët kanë 45 për qind mundësi më pak që të sëmuren nga kanceri në gjak dhe 12 për qind më pak mundësi për t’u prekur nga çdo lloj kanceri, në krahasim me ata që ndjekin një dietë ushqimore të pasur me mish. I publikuar në "British Journal of Cancer” dhe i shpërndarë gjerësisht në shtypin kombëtar britanik, studimi ka ndjekur gjendjen shëndetësore të 61 mijë personave përgjatë 12 viteve. "Kërkimet e mëparshme kishin treguar se mishi mund të rrisë rrezikun për t’u prekur nga kanceri i zorrëve, kështu që rezultatet tona janë shfaqur vërtet bindëse nga ky këndvështrim”, shpjegon për të përditshmen londineze "Guardian”, doktoresha Naomi Allen, kërkuese në qendrën për kërkimet ndaj kancerit në Oksford dhe bashkautore e këtij raporti. "Por nuk e dimë përse kanceri në gjak ka një përqindje kaq të ulët te vegjetarianët”. Diferenca, me rreth 45 për qind mundësi më pak për t’u sëmurë, është e madhe dhe i përket si leucemisë, ashtu edhe llojeve të tjera të kancerit në gjak. Jo vetëm kaq, por kush ushqehet me perime, fruta dhe peshk, duke evituar krejtësisht mishin, ka edhe 12 për qind rrezik më pak për t’u prekur nga çdo lloj tumori tjetër, tregon studimi që, për nga përmasat, është vërtet gjigant. "Janë të dhëna shumë domethënëse, edhe pse duhen analizuar me kujdes, sepse bëhet fjalë për studimin e parë në këto përmasa të këtij lloji. Kemi nevojë për të tjera studime dhe për të ditur më shumë. Për shembull, duhet të zbulojmë se cili aspekt i një diete me bazë perimesh, frutash dhe peshku të mbron nga kanceri. Për më tepër duhet të gjejmë edhe se si influencon pozitivisht një dietë vegjetariane, ashtu siç influencon negativisht një dietë me bazë mishi”, tregon doktoresha Allen. Studimi është pjesë e një projekti ndërkombëtar shumë afatgjatë, i quajtur "European Prospective Investigation into Cancer and Nutrition", që do të zhvillohet në Oksford dhe në qendra të tjera kërkimi mbi kancerin. Megjithatë, studime të tjera kanë treguar se të hash mish, ose më mirë të hash shumë mish, mund të jetë vërtet e dëmshme, jo vetëm për shëndetin e njerëzve, por edhe për atë të planetit. Kështu, vitin e kaluar, një raport i komisionit të OKB-së mbi ndryshimet klimatike ka bërë thirrje për të hequr dorë nga mishi të paktën një herë në javë, sepse nga prodhimi i tij nëpër stabilimente, emetohet një e pesta e gazrave të dëmshëm në atmosferë. Po ashtu, një raport i "World Cancer Research Found”, rreth dy vjet më parë, ka rekomanduar të mos hamë më shumë se 300 gramë mish në javë, për shkak të një raporti mes një diete të pasur me mish dhe kancerit të zorrës së trashë. Edhe në vitin 2005, një studim i financuar nga "Medical researc Council” dhe nga "International Agency for Research Cancer”, ka treguar se të hash dy porcione mish në ditë, ekuivalenti i një panineje me proshutë dhe një bifteku, rrit me 35 për qind rrezikun e kancerit të zorrëve.

Studimet kanë treguar gjithashtu se eskimezët, që kryesisht jetojnë me mish dhe me dhjamëra, plaken shpejt. Kirgezët, një fis lindor rus shtegtarësh, që jetojnë kryesisht me mish, maturohen shpejt dhe në të njëjtën kohë vdesin herët. Ata rrallë e kalojnë moshën e të dyzetave. Nga ana tjetër, studimet e antropologëve të kulturave jomishngrënëse kanë dokumentuar shëndetin, qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë që gëzojnë njerëz të tillë si fisi hunzas në Pakistan, tribuja otomi (vendasit e Meksikës) dhe popujt vendas të jugperëndimit amerikan. Nuk është e pazakontë për fise të tilla të kenë individë të shëndetshëm dhe aktivë që jetojnë 110 vite e më shumë. Statistikat botërore të shëndetit, në mënyrë të vazhdueshme tregojnë që kombet, të cilat konsumojnë më shumë mish, kanë prekshmëri më të madhe nga sëmundjet (e zemrës, kancerit), ndërsa grupet e vegjetarianëve në vende të ndryshme kanë shkallë prekjeje më të vogël. Shumë studime, në fakt, kanë treguar se vegjetarianët janë më të fortë, më të shkathët dhe janë më të durueshëm se mishngrënësit. Dr. H. Schouteden i Universitetit të Belgjikës kreu teste për të krahasuar qëndrueshmërinë, forcën dhe shpejtësinë e marrjes së vetes nga lodhja te vegjetarianët dhe mishngrënësit. Zbulimet e tij treguan që vegjetarianët ishin plotësisht superiorë në të tria karakteristikat. Në testet e qëndrueshmërisë të kryera në Universitetin Yale mbi atletët, instruktorët, doktorët dhe infermierët, u gjet që vegjetarianët kishin dy herë më shumë qëndrueshmëri se mishngrënësit. Instituti Amerikan Kombëtar i Shëndetit, në një studim të kohëve të fundit me 50000 vegjetarianë, zbuloi që ata jetojnë për një kohë më të gjatë, kanë raste më të pakta të sëmundjeve të zemrës dhe raste të rralla të kancerit, krahasuar me amerikanët që hanë mish.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus