Kryesore » 2011 » Maj » 30 » Vaksina SIV shpresë për mbrojtjen kundër virusit të SIDA-s
8:45 PM
Vaksina SIV shpresë për mbrojtjen kundër virusit të SIDA-s
Studiuesit janë të kënaqur me një vaksinë të re e cila mbron majmunët e njohur me emrin "resus makaki”nga infeksioni me versionin fillestar të virusit të Sidës. Studiuesit shpresojnë ta përdorin atë që kanë mësuar nga ky eksperiment për të krijuar një agjent që parandalon infeksionet e virusit HIV tek njerëzit.
Më shumë se 2.6 milionë infeksione të reja nga virusi HIV ndodhin çdo vit dhe gati dy milionë njerëz vdesin nga sida çdo vit. Krijimi i një vaksine kundër sidës vazhdon të mbetet një synim urgjent, por ende i pakapshëm për studiuesit e sëmundjes së sidës.

Tani, shkencëtarët e Fakultetit të Shëndetisë dhe Shkencës në Universitetin e Oregonit mendojnë se ata më në fund mund të jenë në rrugën e duhur për gjetjen e një vaksine kundër sidës. Louis Picker, drejtues i programit të Institutit për Vaksinën dhe Terapinë Gjenetike në Univeristetin e Oregonit, thotë se studiuesit kanë zhvilluar një agjent që i mbron majmunët resus nga virusi SIV, një virus që shkakton sidën tek majmunët dhe që mendohet se është pararendës i virusit HIV, që shkakton sidën tek njerëzit.

Zoti Picker e krahason vaksinën me një ushtri në gjendje gadishmërie që vihet menjëherë në lëvizje me paraqitjen e shenjave të para të infeksionit, para se virusi të ketë shansin të vendoset në organizmin e njeriut.

"Vaksina është e aftë të diktojë virusin HIV ose SIV që nga fillimi. Kjo vaksinë nuk ka nevojë të presë aktivizimin e qelizave të tjera imunitare, siç ndodh me mekanizmin veprues të tipeve të tjera të vaksinave”.

Qelizat imunitara janë ato që aktivizohen për të mbrojtur organizmin nga infeksionet bakteriale ose virale. Aktualisht krijuesit e vaksinës kundër Sidës, po përpiqen që të trejnojnë sistemin imunitar të njeriut të identifikojë dhe shkatërrojë virusin HIV, duke i ngjitur materiale gjenetike nga ky virus, një virusi të parrëzikshëm gripi që do të shërbejë si vaksinë. Por zoti Picker thotë se deri tani, kjo strategji nuk ka funksionuar mirë, sepse virusi i gripit nuk jeton shumë gjatë në trup.

Në vend të virusit të gripit, ekipi i zotit Picker ka përdorur një virus tjetër, të quajtur CMV. Ky lloj virusi infekton shumicën e popullsisë së botës, rrallë herë shkakton sëmundje dhe mbetet i gjallë, por i fjetur, pafundësisht.

Në eksperimentin me majmunin, studiuesit bënë katër prova. Një grupi majmunësh u dhanë vaksinë të virusit CMV të modifikuar me virusin SIV. Një grupi të dytë i dhanë vetëm një vaksinë gripi. Një grupi të tretë i dhanë një vaksinë të virusit CMV dhe të atij të gripit të modifikuar me elementë të virusit SIV. Ndërsa grupi i katërt i majmunëve nuk u vaksinua.

Më pas, majmunët u infektuan me virusin SIV. Zoti Picker tha se majmunët e patrajtuar dhe ata të cilët morën vetëm vaksinën e gripit u sëmurën dhe u prekën nga Sida, gjysma e majmunëve që morën vaksinën CMV ose vaksinën CMV dhe vaksinën e virusit nuk treguan shenja të infeksionit.

"Dhe në fakt, kur ne u përpoqëm të gjenim virusin pas një viti, ndonëse përdorëm teknika të ndryshme diagnostikimi nuk gjetëm gjë. Kjo tregon se ekziston mundësia që infeksioni të jetë eliminuar fare, gjë që do të ishte e paprecedentë për vaksinën SIV”.

Zoti Picker thotë se qëllimi i tij tani është formulimi i një vaksine më të efektshme që do të ishte e parrëzikshme për fillimin e provave klinike me njerëz për t’i mbrojtur nga virusin HIV. Zbulimi për vaksinën ekperimentale kundër virusit HIV është botuar në revistën Nature.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus