Kryesore » 2012 » Maj » 24 » Tabletat e kalciumit mund të shkaktojnë infarkt
4:58 PM
Tabletat e kalciumit mund të shkaktojnë infarkt
Studiuesit paralajmërojnë se marrja e kalciumit shtesë, përmes tabletave mund të çojë deri rrezikun e një ataku në zemër. Sipas tyre, këto tableta, që përdoren në ditët e sotme nga një numër gjithnjë e më i madh personash, sidomos në moshë të thyer, mund të bëjnë më shumë dëm sesa dobi. Qindra mijëra gra marrin tabletat e kalciumit, pasi u rekomandohen nga mjeku për forcimin e kockave kundër sëmundjes së osteoporozës.Por, sipas studimit të fundit, kalciumi i marrë në mënyrë suplementare nuk mund të shihet si zgjidhja për të shtuar ‘lëngun’ e munguar në kockat e dobëta të këtyre personave.Në vend të kësaj, shkencëtarët sugjerojnë se njerëzit duhet të hanë më shumë ushqime të pasura me kalcium si qumështi, djathi dhe perime të gjelbra.

Studiuesit që morën pjesë në studim arritën në përfundimin se ata që përdornin tabletat e kalciumit, pa marrë ushqime shtesë me përbërje kalciumi, ishin dyfish të rrezikuar nga një atak kardiak se të tjerët të cilët nuk i kishin përdorur ato tableta ose i kishin shoqëruar me ushqime.

Për të arritur në këto përfundime u vëzhguan të dhënat për 24.000 njerëz në Gjermani, të moshave nga 35 deri 64 vjeç, të cilët janë bërë pjesë e një projekti kërkimor mbi të ushqyerit në vitet 1990.
Vullnetarët u monitoruan për 11 vjet, dhe gjatë kësaj periudhe ka pasur 354 atake kardiake, 260 parainfarkte dhe 267 vdekje të lidhura me problemet e zemrës.

Studiuesit e përfshirë në këtë studim vunë re se ata persona që kishin marrë përbërës shtesë në formë tabletash, duke përfshirë edhe tableta e kalciumit, kishin 86 për qind më shumë gjasa që të pësonin ndonjë atak kardiak se sa ata që nuk i kishin përdorur ato. Por, rreziku për ata që kishin marrë vetëm kalcium në formë tabletash (pa i shoqëruar me ushqime me përbërje kalciumi) ishte edhe më e lartë.
Sipas studiuesve rezulton se tableta të tilla kanë një efekt potencialisht të dëmshëm, pasi sjellin një rritje shumë të madhe të nivelit të mineralit në gjak, raportohet në revistën mjekësore ‘Zemra’, ku është botuar studimi. Kalcium i cili gjendet në mënyrë natyrale në ushqim apo pije, përhapet në mënyra graduale duke u përthithur ngadalë në gjak.

Profesorët e përfshirë në studim, Ian Reid dhe Mark Bolland, nga Universiteti i Auckland, Zelanda e Re, thanë se njerëzit nuk duhet të nxiten dhe të këshillohen për marrjen e këtyre tabletave të kalciumit, pasi është e gabuar që ato të shihen si natyrore, ndërkohë që "nuk riprodhojnë të njëjtat efekte si kalciumit që gjendet në ushqime apo pije”.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus