Kryesore » 2011 » Qershor » 13 » Pse disa ilaçe kanë emra të pazakonshëm?
4:23 PM
Pse disa ilaçe kanë emra të pazakonshëm?
A jeni pyetur ndonjëherë pse disa ilaçe kanë emra aq të çuditshëm? Apo ndoshta keni hyrë në barnatore dhe derisa keni pritur në rendin e gjatë keni tentuar të numëroni sa ilaçe kanë germat X dhe Z në emërtimet e tyre?
Pikërisht këtë gjë e ka bërë Rob Stepney, gazetari mjekësor dhe shkencor britanik, por nuk ka analizuar përmbajtjen e rafteve, por ka studiuar dhe krahasuar emrat e 1436 ilaçeve të cilat në 18 vitet e fundit listohen në British National Formulary, manualin britanik për ilaçe me përshkrimin e veprimit të tyre dhe aplikimit në praktikën mjekësore. 
Zgjedhja e tij nuk ishte e rastësishme, pasi që u pa që madje gjysma e të gjitha ilaçeve në Britani të Madhe përmban të paktën një x ose z. 

Stepney në mënyrë të veçantë tërheq vërejtjen për rritjen e numrit të ilaçeve që fillojnë me z, numri i të cilave është rritur 400 për qind në krahasim me vitin 1986.

Në analizën e vet të këtij fenomeni, Stepney përkujton që shkronja z posaçërisht funksionon mirë në Lindjen e Afërt, tregun me rritje të madhe në vitet e fundit. Për këtë fenomen merret parasysh fakti që pikërisht shkencëtarët arabë janë ata që i kanë kontribuar popullaritetit të kësaj shkronje dhe përmend terma si zenit, azimut dhe zodiak.

Kur bëhet fjalë për shkronjën x, prania e saj në emrat e ilaçeve është rritur për 130 për qind në njëzetë vitet e fundit. Shkronja x në matematikë shënon të panjohurën, ndërsa përgjatë shumë viteve lidhet me përparimin e mjekësisë (rrezet x, kromozom x), nga çka mund të përfundohet që pikërisht shkronja x sugjeron efikasitet.

Supozimi më pragmatik është që këto dy shkronja në emër e bëjnë ndonjë ilaç më shumë të dukshëm në raftet e barnatoreve. Përveç që janë mirë të dukshme, ato dy shkronja janë mjaft të rralla në shumicën e alfabeteve të gjuhëve perëndimore. Kështu që, tërheqin vëmendjen dhe sugjerojnë efikasitetin e përmbajtjes në paketimin e të cilit janë.

Paleta e emrave të produkteve farmaceutike krijohet sipas rregullave të përcaktuara në mënyrë rigoroze, ndërsa ndalohet vënia në pah e vetive dhe veprimit të shumicës së ilaçeve. Kështu që, për ta vënë në plan të parë produktin e vet dhe për të tërhequr vëmendjen, laboratorët shpikin emra tërheqës dhe premtues të cilët tingëllojnë më mirë, duken më mirë dhe mbahen mend më lehtë.

Dhe në fund prapë se prapë shtrohet pyetja që ndoshta përdorimi shumë i shpeshtë i germave të njëjta është i rrezikshëm dhe mund të ketë efekt të kundërt nga ai prituri? Tregu sot është i mbushur me ilaçe të cilat në emër përmbajnë shkronjat x dhe z, në atë masë që lehtë vihet deri te konfuzioni. Për pasojat dëshmon edhe e dhëna që në vitin 2007 ka pasur përzierje të rrezikshme të antipsikotikut Zyprex (olanzapin) dhe emrit të antihistamikut Zyrtec (cetirizin). Pacientët të cilët gabimisht në barnatore kanë marrë ilaç të gabuar kanë pasur pasoja të rënda, dhe pastaj kanë pasuar edhe paditë në gjyq.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus