Numri i vdekjes së foshnjeve - ende i madh - 8 October 2011 - SHËNDËTESI

Kryesore » 2011 » Tetor » 8 » Numri i vdekjes së foshnjeve - ende i madh
4:22 PM
Numri i vdekjes së foshnjeve - ende i madh
Niveli i vdekshmërisë së foshnjave gjatë lindjeve të parakohshme në Kosovë, mbetet më e larta në Evropë, thonë zyrtarë shëndetësorë. Shumica e foshnjave që lindin para kohe vdesin në gjashtë ditët e para të jetës.Teuta Hadri, gjinekologe, pohon se një nga masat preventive që tashmë po aplikohet në sistemin shëndetësor është edhe telemjekësia.
Sipas saj, kjo i ndihmon profesionistëve shëndetësorë që të jenë më afër përvojave evropiane e më gjerë."Mendoj se telemjekësia ka një rëndësi të veçantë, sidomos sot në Kosovë duke e marrë parasysh se në çfarë kushte është shëndetësia kosovare, kjo na ndihmon shumë t’i afrohemi botës perëndimore, shëndetësisë perëndimore, se si ata punojnë, e sidomos te ne kur dihet se vdekja e parakohshme e fëmijëve në Kosovë, është me përqindjen më të lartën në Evropë”, thotë ajo.Edhe Sueda Latifi, gjinekologe, thotë se me gjithë përpjekjet e stafit të Klinikës Gjinekologjike Obstetrike për të shpëtuar jetën e foshnjave, kushtet që mbretërojnë në shëndetësinë kosovare, kanë bërë që vdekshmëria të jetë në nivelin që është."Çdo gjë është e mangët, përveç stafit të trajnuar, që ka vullnet të mirë dhe përvojë. Megjithatë, është shifër shumë e madhe e vdekshmërisë së madhe, andaj duhet krijuar kushte më të mira në institucionin tonë, sepse aty mungojnë edhe disa elemente që mbështesin fëmijën në mbijetesë, por për këto duhet të sigurohen fonde dhe mjete që në vazhdimësi të gjenden mënyra që të rritet mbijetesa e fëmijëve të lindur para kohe”, shprehet Latifi.

Ndërkaq Ismet Lecaj, drejtor i telemjekësisë thotë se tashmë në Kosovë po aplikohet telemjekësia, e që sipas tij, profesionistët shëndetësorë kanë mundësi të përfitojnë nga ligjëratat që i mbajnë mjekët më eminentë nga tërë bota.

"Tash jemi me lidhje të drejtpërdrejta me 6 qendra të telemjekësisë në Shqipëri. Kemi një aktivitet me mjekë nga Republika çeke, që trajtojnë dy tema: trajtimi i lindjes para kohe, si dhe ndryshimet kryesore në neonatologji. Të jesh në rrjedha me të arriturat e reja në mjekësi është shumë e domosdoshme”, thotë Lecaj.

Edhe Halil Kelmendi, gjinekolog, thotë se Qendra Klinike Universitare e Kosovës po ballafaqohet me një problem madhor, siç është vdekshmëria e foshnjave.

Andaj, sipas tij, edhe pas shumë përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e stafit në këtë qendër dhe ulja e numrit të vdekshmërisë së foshnjave, nëse krahasohet me vitet paraprake, vdekshmëria e parakohshme prapë ka mbetur e lartë.

Andaj, zotit Kelmendi, thotë se edukimi i vazhdueshëm profesional si dhe përvojat profesionale shëndetësore me botën janë më se të nevojshme.
"Shoqëria jonë aktualisht ballafaqohet me një problem shumë të madh, siç është vdekshmëria e foshnjave, e që është shumë e lartë. Andaj ne vazhdimisht po njoftohemi me problematikën, po shkëmbejmë përvoja përmes telemjekësisë, që është shumë mirë që kemi shumë shpesh ligjërata përmes telemjekësisë dhe të njoftohemi me problemet në fjalë”, shpjegon Kelmendi.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, se me gjithë mungesën e të dhënave të sakta për vdekshmërinë e foshnjave, konsiderohet se 33 për qind e foshnjave që lindin para kohe vdesin nga faktorë të ndryshëm.
Postuar nga: ksdardania | Vlersuar: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus